Kujdesi nga zjarret për familjet, kafshët e shoqërimit dhe bagëtitë.
Situata me zjarret po rëndohet me kalimin e ditëve në Shkodër. Sikur të mos mjaftonin temperaturat e larta, zjarrvënia e qëllimshme po kthehet në problem tepër serioz për banorët, shtëpitë, kafshët dhe tokat bujqësore. Dy ditë më parë, edhe afër strehës tonë u shua një zjarr i qëllimshëm.
Nëse shtëpia juaj ndodhet afër një vatre zjarri:
- Rrini në kontakt me autoritetet lokale dhe mos prisni deri në momentin e fundit për evakuim.
- Përgatisni familjen tuaj për evakuim dhe bisedoni me ta për planin e emergjencës.
- Vendosni se te cili vend i sigurt do të shkoni të gjithë bashkë. (Për këtë flisni me familjarë e miq që mund t’ju presin bashkë me kafshët tuaja shtëpiake, ose drejtohuni te streha e bashkisë/prefekturës nëse ka një të tillë.)
- Mbyllni gazin, fikni kondicionerët, mbyllni dyer e dritare (pa çelës), hiqni perdet, mblidhni mobiljet e djegshme në mes të dhomës ndërsa llambat e dhomave lejini ndezur, në mënyrë që zjarrëfikësit ta dallojnë shtëpinë tuaj në mes të tymit.
- Përgatisni një çantë me dokumentet e rëndësishme, ilaçe, ujë, ushqime të thata apo konserva, dhe vendoseni në makinën tuaj.
- Mbyllini xhamat dhe mbani çelësat kudo me vete. Nëse keni kafshë shtëpiake, planifikoni ushqim për ta dhe mbajini afër në mënyrë që të largoheni bashkë me ta gjatë evakuimit.
- Vendosuni qafore me medalje ose letra idntifikuese me nr tuaj të telefonit.
- Nëse keni bagëti, komunikoni me fqinjët, kushërinjtë apo miqtë që nuk ndodhen pranë vatrave të zjarrit, nëse mund të krijojnë hapësirë për bagëtitë tuaja.
- Nëse kjo është e mundur, organizoni transportin me kamionë deri te zona e sigurt.
- Nëse kjo bëhet e pamundur, drejtojini bagëtitë drejt një zone të sigurt me mundësi kullotje për 48-72 orë.
- Mos lini çesmet dhe sistemet e ujitjes të hapura. Kjo do pakësojë ujin që u nevojitet zjarrëfikësve për ta shuar zjarrin në pronën tuaj dhe ato përreth.